Kriza politike e shkaktuar nga dështimi për zgjedhjen e presidentit, Maliqi: Përgjegjësia kryesore qëndron te Albin Kurti

Kriza politike e shkaktuar nga dështimi për zgjedhjen e presidentit ka futur vendin në një cikël të ri zgjedhor, duke hapur debat mbi përgjegjësinë politike dhe pasojat për stabilitetin institucional. Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se mungesa e konsensusit jo vetëm që thelloi ngërçin, por rrezikon të prodhojë pasiguri të re edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Analisti Agon Maliqi e vendos përgjegjësinë kryesore tek kryeministri Albin Kurti.
“Përgjegjësia kryesore qëndron te Albin Kurti dhe insistimi me çdo kusht për kontroll politik mbi presidencën, përkundër mungesës së mandatit politik për diçka të tillë,” ka deklaruar Maliqi.
Ai shton se zgjedhjet mund të shndërrohen më shumë në një test për qeverinë aktuale sesa një ndëshkim të përgjithshëm.
“Se a do të jenë këto zgjedhje referendum për Kurtin apo ndëshkim për gjithë elitën, kjo mbetet të shihet. Por unë mendoj se më shumë duhet të jetë e para”, ka thënë Maliqi për Telegrafin.
Sipas Maliqit, ekziston mundësia reale për ndryshim të balancës politike, por edhe në këtë rast, konsensusi mbetet i domosdoshëm.
“Ndryshimi i balancës në pushtet është mundësi reale, por prapë do të ketë nevojë për konsensus”, shprehet analisti.
Ai thekson se mesazhi kryesor që pritet nga elektorati është kundërshtimi i përqendrimit të pushtetit.
“Mesazhi më i mirë të cilin mund ta japë elektorati është që ta ndëshkojë synimin për pushtet absolut të shumicës aktuale. Se a do ta bëjë këtë, mbetet të shihet”, tha ai.
KQZ propozon 7 qershorin për zgjedhjet e parakohshme
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Për shkak se presidenti nuk u zgjodh brenda afatit prej 34 ditësh që Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur në një aktgjykim në mars, Kuvendi u shpërnda automatikisht më 28 prill, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Janë vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor. /Telegrafi
